Rëndësia e reputacionit të një universiteti dhe si mund të përmirësohet.

Rëndësia e reputacionit të një universiteti dhe si mund të përmirësohet.
Universiteti ëhtë një institucion shumë kompleks që integron në mënyrë të magjishme interesa, ide, besim, investim, bashkëpunim ndërveprim kohë dhe ëndrra të panumërta. Gjithsecili ndihet krenar kur universiteti ku ka studiuar listohet, citohet, rankohet apo evidentohet për shembuj dhe praktika të mira, veçanërisht kur këto janë në kontekstin ndërkombëtar.
Të gjithë e synojnë dhe pak e arrijnë të kenë një reputacion të mirë në nivel ndërkombëtar, i ekuivalentuar ky me një renditje të lartë në toplistën e rankimit global të universiteteve.
Ka shumë faktorë që ndikojnë në rritjen e reputacionit institucional, të arritshëm e të tjerë të pamundur disa prej të cilëve po i listojmë më poshtë:
  • Fokusimi tek kërkimi, inovacioni, aplikimet në përputhje me kërkesat dhe trendet globale
  • Punësimi i personelit akademik me nivel të lartë profesional, profesorë prestigjiozë të njohur në fushat e tyre
  • Diversifikimi i stafit akademik, administrativ, dhe studentëve
  • Ofrimi i sa më shumë programeve dhe kurseve në gjuhën angleze. Shkenca vazhdon flet anglisht pavatësisht zhvillimeve të ekonomive aziatike
  • Përmirësimi i përvojës së studentëve në institucionet arsimore. Përfshirja reale e tyre, marrja e mendimit, bërja pjesë në vendimmarrje
  • Fokusimi në profile specifike të kërkimit dhe zhvillimit, zhvillimi i markave, patentave në mënyrë që institucioni të jetë elitar në këtë drejtim
  • Profil të lartë në web, rrjete sociale, aktivitete dhe veprimtari veçanërisht në gjuhën angleze
  • Publikimi i veprimtarive, punimeve shkencore, kërkimeve të stafit dhe studentëtve, akses pa limit si dhe krijimi i mundësive për publikim edhe jashtë institucionit
A mjaftojnë këta tregues...?
Sigurisht jo. Ka mjaft tregues të tjerë që rrisin performancën institucionale.
E megjithatë duhet të kemi parasysh që renditjet e universiteteve mund të jenë të rëndësishme për një kategori të caktuar por jo të gjithë mund të jenë në krye të listës. Nuk është pozicioni i një universiteti në renditjen globale faktori kyç që tregon se sa cilësor është një institucion.
Ka shumë faktorë që përcaktojnë vlerën e tij parë nga syri i një studenti, kërkuesi shkencor, prodhuesi, prindi etj.
E rëndësishme është që institucioni të përpiqet të përmbushë misionin e vet për ofrimin e një edukimi sa më cilësor në përputhje me pritshmëritë e të interesuarve.
Ne në IQE jemi duke zhvilluar modele të ndryshme që mund të rekomandohen dhe ndiqen nga institucionet shqiptare në varësi të qëllimit dhe objektivave afatagjata që ato kanë. Ngjitja në renditjen globale nuk ndodh menjëherë. Ajo është rezultat i përmirësimit të vazhduesh të treguesëve të veçantë dhe të performancës së përgjithshme institucionale.
IQE, Gusht 2021